Tremujori i parë, 67 për qind e transfertave bankare u kryen nëpërmjet internetit
Përdorimi i bankingut në distancë vijoi rritjen me ritme të forta gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa transfertat online po dominojnë gjithnjë e më shumë sistemin bankar shqiptar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i transaksioneve të kryera nëpërmjet internet banking dhe aplikacioneve mobile arriti në 3.06 milionë gjatë tremujorit të parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vlerë, transfertat e realizuara përmes kanaleve elektronike arritën në 528.4 miliardë lekë, ose rreth 31% më shumë se një vit më parë.
Koncepti i home banking përfshin të gjitha veprimet bankare që kryhen në distancë, pa qenë e nevojshme paraqitja fizike në degë, përmes internet banking apo aplikacioneve mobile të bankave.
Transfertat dixhitale dominojnë sistemin bankar
Sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat e kryera nga kanalet dixhitale përbënin 67% të numrit total të transfertave bankare në tremujorin e parë të vitit 2026.
Kjo peshë është rritur më tej krahasuar me 64% që ishte një vit më parë, duke konfirmuar zhvendosjen graduale të klientëve drejt përdorimit të shërbimeve bankare online.
Tashmë pjesa më e madhe e pagesave dhe transfertave për individët dhe bizneset mund të realizohet nëpërmjet internetit, pa nevojën për të shkuar fizikisht në bankë.
Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri ofrojnë shërbime të bankingut në distancë për klientët e tyre.
Komisione më të ulëta për transfertat online
Përdorimi i kanaleve elektronike është nxitur edhe nga politikat tarifore të Bankës së Shqipërisë, të cilat favorizojnë transfertat online me komisione më të ulëta krahasuar me veprimet në degë.
Në rregulloren e re për sistemin AECH, Banka e Shqipërisë ka zgjeruar edhe më tej lehtësitë për pagesat elektronike.
Për transfertat elektronike me vlerë deri në 40 mijë lekë, bankat nuk duhet të aplikojnë komisione.
Më parë, kufiri maksimal për transfertat pa komision ishte 20 mijë lekë.
Për transfertat elektronike nga 40 mijë lekë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar është 0.005% e shumës së transferuar.
Ndërkohë, për transfertat e kryera fizikisht në degë me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar është 0.01%.
Rritet numri i llogarive të lidhura me internetin
Në fund të vitit 2025, numri i llogarive bankare të aksesueshme përmes internetit arriti në 1.95 milionë, me një rritje vjetore prej 44%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 49% e llogarive aktive bankare në vend janë tashmë të lidhura me internetin, nga 39% që ishte ky tregues në fund të vitit 2024 dhe më pak se 20% në vitin 2020.
Afërsisht 90% e këtyre llogarive i përkasin individëve.
Numri i llogarive online për individët u rrit me 45%, ndërsa për bizneset rritja ishte 39% krahasuar me një vit më parë.